Takim me Shoqatën Vullnetare të Zjarrfikësve – Një hap i rëndësishëm për sigurinë e qytetarëve
Sot zhvilluam një takim me Shoqatën Vullnetare të Zjarrfikësve, të udhëhequr nga Artan Demiri, në prani të sekretarit të komunës dhe këshilltarit komunal.
Gjatë takimit diskutuam për rëndësinë e vullnetarizmit, forcimin e kapaciteteve lokale dhe bashkëpunimin institucional në funksion të rritjes së sigurisë së qytetarëve. Vlerësuam lart kontributin e jashtëzakonshëm që vullnetarët japin në mbrojtjen e jetës, pronës dhe interesit publik.
Me kënaqësi arritëm dakordim për hapjen e një dege të Shoqatës Vullnetare të Zjarrfikësve në Komunën e Likovës. Ky është një hap i rëndësishëm drejt afrimit të shërbimeve me qytetarët, rritjes së gatishmërisë për reagim dhe ndërtimit të një sistemi më efikas të mbrojtjes dhe shpëtimit në komunën tonë.
Komuna e Likovës mbetet e përkushtuar të mbështesë çdo iniciativë që kontribuon në sigurinë, mirëqenien dhe zhvillimin e komunitetit, duke ndërtuar partneritete të forta me organizatat dhe vullnetarët që i shërbejnë qytetarëve.
Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificën e anëtarëve të Shoqatës Vullnetare të Zjarrfikësve. U dëshirojmë suksese të mëtejshme në misionin e tyre fisnik dhe besojmë se ky bashkëpunim do të sjellë përfitime konkrete për të gjithë banorët e Komunës së Likovës.